PZAP vendos: S’ka rinumërim

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka hedhur si të palejuara ankesat nga PDK-ja, LDK-ja e koalicioni Nisma-AKR-PD për rinumërim të të gjitha fletëvotimeve nga zgjedhjet e 6 tetorit.

“Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa – PZAP, në seancën e mbajtur më datë 08.10.2019, ka shqyrtuar ankesat: Anr.350/2019, të paraqitur nga Subjektit Politik PDK, Anr.351/2019, e paraqitur nga Subjekti Politik LDK dhe Anr.353/2019, e paraqitur nga Koalicioni NISMA-AKR-PD, të datës 07.10.2019, me të cilën kanë kërkuar që të Urdhërohet KQZ-ja, që të bëjë rinumërimin e të gjitha fletëvotimeve në të gjitha vendvotimet e Republikës së Kosovës dhe ka marrë vendim për te hudhur si te palejuara ankesat e larte theksuara”, thuhet në njoftim.

Tashmë janë numëruar të gjitha votat e rregullta nga këto zgjedhje dhe ka mbetur vetëm numërimi i votave me kusht dhe atyre të diasporës. Vetëvendosje prin me 25.48 për qind të votave apo 202 mijë e 968 vota. LDK-ja është e dyta me 24.82 për qind të votave apo 197 mijë e 702 vota. PDK-ja është e treta me 21.24 për qind apo 169 mijë e 211 vota. Koalicioni AAK-PSD është subjekti i katërt me 11.57 për qind apo 92 mijë e 149 vota. Nisma-AKR-PD është në “teh” të pragut zgjedhor prej 5 për qind. Ajo deri tash ka 39 mijë e 495 vota apo 4.96 për qind. 40 mijë e 732 fletëvotime ishin të pavlefshme.