Mustafa: PDK ka nevojë me ardhë në veti, duhet të shkojnë në opozitë

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa në tubimin elektoral në Pejë, ka thënë më e mira për Kosovën është që PDK të shkojë në opozitë. Mustafa ka dërguar mesazhe edhe për AAK-në e Vetëvendosjen.

Mustafa tha se Vjosa Osmani është kandidatja që e ka përkrahjen e plotë të LDK-së.

“Vjosa është kandidatja që e ka përkrahjen e plotë të LDK-së, por, jam I bindur që Vjosa nuk është kandidate vetëm e partisë sonë, por kandidate e Kosovës sepse do të jetë kryeministre e Kosovës. LDK do të fitojë dhe duhet të fitojë në këto zgjedhje sepse nuk ka shpëtim për Kosovën në qoftë se nuk bëhen ndryshime në Kosovë”, tha kryetari i LDK-së, derisa, tutje shtoi se Kosovën e shpëton vetëm LDK-ja.

“Unë sot nuk dëshiroj të vlerësoj votat që eventualisht do të ju shkojnë partive tjera, por, konsideroj që ai do të jetë vullnet i humbur, votë e humbur sepse nuk do t’i bëjë mirë Kosovës. Kosovës do t’i bëjë mirë një votë që e shpëton Kosovën dhe unë ju siguroj se kjo është Lidhja Demokratike e Kosovës”, tha Mustafa.

I njejti, dërgoi mesazhe edhe për PDK-në, VV e AAK-në.

Ne nuk jemi në armiqësi me partitë tjera politike, por, jemi në miqësi me qytetarët e Kosovës. E mira e Kosovës është që PDK të shkojë në opozitë, sepse kjo i bën mirë edhe Kosovës edhe PDK-së sepse këta kanë nevojë me ardh në veti, me qëndru në opozitë dhe me pa ku kanë gabu. Kosovës i bënë mirë që AAK ta merr ves se nuk është 100 % Kosovë nëse nuk e kemi përkrahjen e SHBA-së dhe BE-së. Edhe ata do ta marrin vlerësimin e tyre dhe votën që ju takon. Por, jo votën që ju jep besimin e qytetarëve të Kosovës”, ka shtuar ai, derisa foli për Vetëvendosjen.

“Edhe Vetëvendosja, qytetarë të nderuar do ta merr vesh se nuk e ka vendin afër LDK-së, ata janë në skenë politike por janë larg Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ata vetëm me LDK-në mund të mësojnë se si qeveriset mirë, drejtë dhe si mbahet partneriteti me SHBA e BE”, tha Mustafa.

“Vlerësoj që është një grua që ka dije dhe guxim për të marrë vendime për shtetin e Kosovës, vetëm LDK me Vjosën mund t’i merr këto vendime. Ajo ka përkrahjen e plotë të LDK-së, ti çojë përpara proceset për të cilat ka nevojë Kosova”, ka përfunduar ai